Një empat është një person që ndien dhe përthith emocionet, ndjesitë dhe energjinë e të tjerëve sikur të ishin të vetat.
Ata rrezatojnë dritë, ndjeshmëri dhe sinqeritet, dhe këto cilësi fatkeqësisht tërheqin njerëzit toksikë, si mjalti grerëzat.
Fjala vjen nga “empati” — aftësia për të ndier dhe për të kuptuar se si ndihet dikush tjetër — por te një empat kjo aftësi është shumë më e thellë, intuitive dhe energjike.
Ndjeshmëri e thellë emocionale – një empat e ndjen menjëherë ndryshimet e humorit të tjerëve dhe ka një aftësi të jashtëzakonshme të “kap” energjinë e tyre, edhe pa dashur.
Intuitë e fortë – kupton gjërat pa pasur nevojë për shumë fjalë; ndjen kur dikush gënjen, vuan apo ka qëllime të fshehta.
Nevojë e theksuar për qetësi dhe vetmi – për shkak të gjithë emocioneve që një empat përthith, ai ka nevojë të tërhiqet në vetmi për t’u “pastruar” nga energjitë e të tjerëve.
Tërheqje e fortë ndaj natyrës dhe kafshëve – ndien më shumë rehati në ambiente të qeta, ku energjitë janë të pastra dhe natyrale.
Vështirësi të vendosë kufij emocionalë – shpesh ndien dhimbjen e të tjerëve si të vetën dhe mund të lodhet shpirtërisht në marrëdhënie, sepse edhe pa dashru, jep më shumë nga ç’duhet nga vetja.
Në terma spirituale, empatët janë shërues energjikë natyralë, sepse ndjeshmëria e tyre i bën të kuptojnë thellë nevojat e njerëzve.
🌷 Karakteristikat e një empati të vërtetë
- Zemër shumë e butë dhe ndjesi të thella
- Vështirësi për të parë vuajtje pa ndihmuar
- Aftësi për të kuptuar njerëzit pa fjalë
- Tërheqje ndaj natyrës, qetësisë dhe artit
- Nevojë për periudha vetmie për t’u “pastruar” energjikisht

💞Ja cilat shenja tregojnë që je një EMPAT
1. Ti i ndjen emocionet e të tjerëve si të ishin të tuat
- E kupton menjëherë kur dikush është i trishtuar, i zemëruar apo i shqetësuar, edhe nëse ai person nuk thotë asgjë.
- Gjendja jote emocionale ndryshon në varësi të njerëzve që ke përreth.
- Mund të ndihesh “e mbingarkuar” pas shoqërimit me njerëz që kanë shumë tension, negativitet ose drama.
Le të themi se shoqja jote sapo ka humbur qenin e saj pas 15 vitesh. Empatia është ajo që të lejon të kuptosh nivelin e dhimbjes që ajo po përjeton, edhe nëse ti vetë nuk ke humbur kurrë një kafshë të dashur.
Por si empat, ti shkon një hap më tej. Ti në fakt e ndjen dhe i përjeton emocionet e saj sikur të ishin të tuat. Me fjalë të tjera, dhimbja e saj bëhet – në kuptimin e plotë të fjalës- dhimbja jote.
2. Ke intuitë shumë të fortë
- E ndjen kur dikush po të gënjen, po përpiqet të të manipulojë, po luaj lojëra, ose po të fsheh diçka.
- Vendimet i merr thuajse gjithmonë sipas ndjenjës dhe intuitës- dhe rezultojnë të jenë të sakta.
- Parandjen ngjarje përpara se të ndodhin (p.sh. kur dikush do të të telefonojë ose diçka po ndryshon energjikisht).
3. Je tepër e ndjeshme ndaj energjive
- Muzika, filmat, aromat, dritat, materialet a ashpra, zhurmat, apo ambientet e mbingarkuara me shumë njerëz – kanë një ndikim shumë të fortë tek ty.
- Ndjen menjëherë kur një vend “është i rënduar” energjikisht.
- Pas qëndrimit në vende me shumë stres, ke nevojë për vetmi për t’u pastruar energjikisht.
Sidomos afrimiteti dhe intimiteti mund të të mbingarkojnë❤️
Empatët e kanë të vështirë kontaktin e shpeshtë dhe të ngushtë me të tjerët, gjë që mund ta bëjë të ndërlikuar jetën romantike.
Kalimi i tepërt i kohës me dikë mund të të sjellë stres, mbingarkesë emocionale ose frikë se mos humbet veten brenda marrëdhënies.
Mund të vëresh gjithashtu “mbingarkesë shqisash” nga bisedat dhe prekjet e vazhdueshme.
4. Ke zemër shumë të butë
- Nuk duron dot të shohësh të tjerët të vuajnë – njerëz apo kafshë.
- Të vjen natyrshëm të ndihmosh, ngushëllosh apo të mbështesësh emocionalisht.
- Ke ndjesinë sikur je “këtu për të ndihmuar” – edhe pse shpesh herë – e lodhshme.
5. Ke humor të ndryshueshëm pa arsye të dukshme
- Shpesh ndjen luhatje emocionale sepse ke “thithur” emocionet e të tjerëve.
- Pasi ke kaluar kohë me njerëz negativë, ndjhesh tmerrësisht e lodhur dhe e rënduar shpirtërisht.
Ndjeshmëria e shtuar ndaj dhimbjes së njerëzve të tjerë mund të jetë rraskapitëse.
Për një empat, edhe mbingarkesa me ndjenja pozitive mund të jetë tepër lodhëse, prandaj është e rëndësishme të marrësh kohën që të duhet për të pushuar dhe për t’u rikthyer në ekuilibër.
6. Të duhet vetmi për t’u “rikarikuar”
- E ndjen vetminë si të nevojshme, sepse ajo për ty është qetësi dhe shërim.
- Vetmia nuk të frikëson — përkundrazi, të ndihmon të rikthesh qartësinë.
- Natyra – dhe prania e kafshëve- është vendi yt i preferuar për t’u qetësuar.
Si empat, nëse kalon shumë kohë me njerëz, ndjehesh e lodhur — jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht dhe energjikisht.
Kur je mes shumë njerëzve, ti përthith ndjenjat, humorin dhe tensionet e tyre, ndaj energjia jote shpirtërore mbingarkohet. Vetmia për ty nuk është trishtim — përkundrazi, është mënyra jote për t’u pastruar, për t’u qetësuar dhe për t’u rikthyer në ekuilibër.
7. Natyra është habitati yt
Kushdo mund të përfitojë nga kalimi i kohës në natyrë.
Por empatët ndjehen edhe më të tërhequr drejt natyrës dhe vendeve të qeta dhe të largëta, sepse mjediset natyrore ofrojnë një hapësirë qetësuese ku mund të pushosh nga mbingarkesa e ndjesive, stimujve, zhurmave dhe emocioneve.
8. Nuk i duron dot konfliktet
Nëse je empat, me siguri që i frikësohesh ose i shmangesh me çdo kusht konflikteve.
Ndjeshmëria e lartë e bën më të lehtë që dikush të të lëndojë ndjenjat — madje edhe komentet e rastësishme mund të të prekin thellë, dhe kritikat i merr shumë personalisht.
Debatet dhe grindjet mund të të shkaktojnë shqetësim të madh, sepse nuk po përballesh vetëm me emocionet dhe reagimet e tua, por edhe po përthith ndjenjat e të tjerëve.
Nuk besoj se shumica e njerëzve mund ta kuptojnë, se sa shumë mund të të rëndojnë emocionalisht, qoftë edhe konfliktet më të vogla. Kjo është një “mangësi” që empatët do tu duhet të durojnë përjetësisht.
9. E ke të vështirë të vendosësh kufij
Kufijtë personalë janë të rëndësishëm në çdo marrëdhënie. Por nëse je një empat, do të kesh vështirësi të “fikësh” aftësinë për të ndjerë dhe ta gjesh pothuajse të pamundur të ndalosh të japësh nga vetja, edhe kur të duket sikur energjia të ka shteruar.
Mund të mendosh se vendosja e kufijve do të thotë se nuk kujdesesh për njerëzit e dashur, ndërkohë që në fakt ndodh e kundërta.
Pikërisht sepse përjetimet e të tjerëve të prekin kaq fort, kufijtë janë edhe më të domosdoshëm për empatët. Ata të ndihmojnë të përcaktosh kufijtë rreth fjalëve apo veprimeve që mund të të ndikojnë negativisht, në mënyrë që të mund të plotësosh edhe nevojat e tua.
Nëse fillon të ndjesh sikur nuk i dallon më emocionet e tua nga ato të të tjerëve, mund të jetë momenti i duhur për të kërkuar ndihmë profesionale dhe për të mësuar si të ndërtosh kufij të shëndetshëm.❤️
10. E sheh botën në mënyra unike
Një kuptim më i thellë emocional forcon intuitën tënde, dhe shpesh vëren gjëra që të tjerët nuk i shohin, ose bën lidhje që për të tjerët duken të paqarta.
Por kjo lidhje e thellë me botën mund të ketë edhe anë negative.
Mjediset ku mungon hapësira për shprehje emocionale mund të zbehin krijimtarinë dhe ndjeshmërinë tënde, duke të lënë pa interes, të shkëputur dhe me vështirësi për të lulëzuar.
11. Ke energji shëruese
Shpesh herë, njerëzit hapen shumë me ty, të tregojnë sekretet e tyre dhe ndihen më mirë pasi të flasin. Njerëz që nuk i njeh, që nuk i ke takuar kurrë më parë. Mund të ndodhë shpesh që të të kërkojnë këshilla ose thjeshtë kërkojnë praninë tënde për t’u qetësuar.

Anët pozitive të të qenit empat:
- E ndjen kur dikush ka nevojë për ndihmë.
- Ndihmon të tjerët duke u ofruar mbështetje emocionale.
- Falë intuitës së fortë, është më e vështirë që dikush të të mashtrojë apo të përfitojë prej teje.
Anët negative të të qenit empat:
- Mund të ndjehesh shpesh e lodhur emocionalisht.
- Kalon më shumë kohë duke u përqendruar tek të tjerët sesa tek vetja.
- Disa njerëz mund të ndjehen të shqetësuar, të pambrojtur, të ekspozuar ose të parehatshëm në praninë tënde.
💞Këto janë llojet më të shpeshta të empatëve:
Empati emocional
Ky është ndoshta lloji më i njohur dhe më i shpeshti.
- Ti i ndien emocionet e njerëzve të tjerë sikur të ishin të tuat.
- Mund të ndjesh gëzim, trishtim apo ankth që nuk janë të tuat, por të dikujt tjetër.
- Ke zemër shumë të butë dhe shpesh qetëson të tjerët me praninë tënde
Empati i kafshëve
Ti me siguri bën pjesë tek ata njerëz, që nuk do e quanin kurrë macen e tyre “pisika” apo “putuku”. Për ty një kafshë shtëpiake është një pjesëtar dinjitoz i familjes, i cili ka të drejtë për të njëjtin respekt si çdokush tjetër.
Në përgjithësi, ke lidhje shumë të fortë me kafshët, sepse i ndjen emocionet e tyre, kupton nevojat e tyre, dhe i trajton- sikur të ishin njerëz.
Empati fizik
Motra ime vret këmbën dhe unë filloj të çaloj pa asnjë arsye- mami ka infeksion dhe mua fillojnë shqetësime të lëkurës në të njëjtin vend- nëna operon syrin dhe mua papritur më ënjten sytë- derisa ato shërohet dhe gjithçka, çdo shqetësim, çdo dhimbje, kalon krejt pa pritur, pa asnjë trajtim mjekësor.
Për shumicën e njerëzve këto eksperienca janë të pakuptueshme- por jo nëse je një empat fizik:
- Trupi yt reagon ndaj energjisë ose dhimbjes fizike të të tjerëve.
- Mund të ndjesh dhimbje koke, lodhje, ose tension në trup kur dikush pranë teje është i sëmurë ose i stresuar.
- Mund të “thithësh” sëmundjet e të tjerëve sikur të ishin të tuat.
Empati intuitiv
- Ke parandjenja të forta, shenja apo vizione përpara se diçka të ndodhë.
- Lexon nënkuptimet, energjinë dhe sinjalet e padukshme shumë lehtë.
- Shpesh ke ndjesinë se “e di” diçka pa asnjë arsye logjike.
Empati spiritual
- Ndjen energjinë e njerëzve në nivel shpirtëror, përtej emocioneve apo trupit.
- Mund të perceptosh aura, prani shpirtërore ose sinjale nga universi.
- Je e tërhequr nga meditimi, pastrimi energjik dhe praktikat shpirtërore.
Shumica e empatëve janë një kombinim i disa llojeve — për shembull: nëse je empat emocional, mund të jesh edhe spiritual. Ose mund të kesh shumicën e shenjave.
Të jesh EMPAT është njëkohësisht një dhunti e rrallë dhe një mallkim😔 — do të thotë të përjetosh bukurinë, dhimbjen dhe emocionet e botës në mënyrë të jashtëzakonshme.









Leave a Reply